
Vari im është në Sllupçan,
në Tanushë, në kalanë e Tetovës
Bija ime!
Aq e kisha dashur që të jem afër
teje, të shoh se sa je rritur. Por edhe pse jam larg, larg
saqë na ndajnë dy botëra, unë e ndjej veten
krenar dhe shumë afër teje, kur e di se për cka u
sakrifikova, e ti bija ime e dashur, duhet të jesh shumë
krenare, gjithmonë të ecësh me kokë të
ngritur lart, të mos dorëzohesh edhe pse disa të
mendojnë për jetime.
Unë jam larg, thash sa dy botëra,
por shpirti im cdo mbrëmje vie në natë, në dhomën
tënde ti përkdhel flokët e arta, flokët e gjata,
që aq shumë i desha. Pas ca kohësh me anë të
kësaj letre, nuk dëshiroj që të të arsyetohem
për ikjen time pa fjalë, pa gjurmë, por të të
them se edhe pse unë vdiqa, këtij populli të përvuajtur
duhej t'i dalë dikush në krah. Unë isha i fundit
që mora këtë guxim, sepse shokët e vëllezërit
e mi, mu atëherë kur u paraqita për në luftë,
ata vetëm se kishin ujitur tokën me gjakun e tyre, e lulet
e lirisë sa vijnë e rriten. Bija ime! Ngre kokën
lart, se nuk dëshiroj të të shoh se si e ndjen veten
jetime. Ta lash nënën, e cila ishte frymëzimi im
për të shkuar në luftë, zemra e cila gjakoi
për mua, që juve t'ju shoh të lirë, të
kënaqur në atdheun tonë të shkelur nga cizma
e fëlliqur. Ajo prej tani do të jetë udhëzimi
yt, por të përkujtoj, kujdesu shumë për të.
Bija ime!
Letrën që po e lexon, është shkruar mu në
front, ku dominon fryma e barotit, fryma e lirisë, sepse llomotitjet
e askujt nuk vlejnë, e as shitjet e patriotëve nuk bëjnë
para, nëse nuk je në front të luftës, e të
shikohesh me armikun nëpërmjet shënjestrës.
Kjo është kënaqësia e vetme, që mund ta
përjetojë secili që dëshiron të vdesë
e jo të luftojë me shpresë që të kthehet
në familje. Të lutem bija ime! Mos ma kërko varrin
se nuk do të ma gjeshë. Dije edhe mbaje mend se varri
im është në Sllupcan, në Tanushë, në
Kalanë e Tetvës. Këtu prehen eshtrat e mia. Të
lutem mos ngurro, dhe thuaju të gjithëve që mos të
ngurrojnë që të më ngrisin përmendore,
sepse nuk dhashë jetën për përmendore e për
strofa këngësh, por vetëm e vetëm që të
fitoj kënaqësinë e Zotit që e falënderoj
shumë që më gatoi aq mirë. E di se tash duke
i lexuar këto rreshta të pikojnë lotët, por
më vie shumë e qartë se ato janë lotët
e krenarisë, e jo lotët e dhimbjes për babanë
e vdekur, për babanë i cili flijoi veten sikur shumë
baballarë tjerë.
Bija ime!
Janë këto fjalët e mia të fundit, sepse pas
kësaj nisem në një betejë në të cilën
nuk ka mbrapa. Bëhu vajzë e mirë, e ndershme, e dëgjueshme
ndaj nënës, bëhu vajzë e diturisë, e sinqertë.
Mos lejo që kjo botë mashtruese të të kapë
me thonjtë e saj të fëlliqur e të të cojë
ku janë shumë vajza të mbetura rrugëve të
Italisë e Evropës. Nëse bija ime nuk përfundon
kjo luftë e ti rritesh, do të kisha dashur që edhe
ti të jesh në rradhët e ushtrisë së popullit,
sepse vdekja nuk është asgjë për ata që
i ofrohen vullnetarisht. Ajo është fazë që kërkon
haracin e saj, por që shpërblehet me një botë,
me një jetë tjetër për të cilën po
ta dinte mirë bota, do të ngarendnin të gjithë
që ta marrin me shpatë. Të lutem bija ime, përshëndeti
të gjithë njerëzit që më kanë njohur,
të gjithë miqtë. Përshëndete nënë
tënde dhe ruaje si sytë e ballit, sepse shumë e respektova
dhe më respektoi. Mirë u pafshim në botën e
amshuar, në botën ku nuk ka më brenga. Dhashtë
Zoti që të jemi të gjithë bashkë, në
njërin kopsht të Xhenetit. P.S. E dashur, mos ia trego
dhe mos ia lexo letrën cupës tonë deri sa të
rritet e deri sa t'i mësojë shkronjat. Ju dua shumë
"Nga njeKomandant, Deshmore"